Përmbledhjen javore në teknologji e fillojmë me Google, kompani ko e cila ka njoftuar se do të ndërtojë një kabllo me fibër optik që do të lidhë Afrikën dhe Australinë. Google thotë se projekti është krijuar për të “rritur lidhjen digjitale, përshpejtuar rritjen ekonomike dhe thellimin e qëndrueshmërisë në të gjithë Afrikën”.
Të reja këtë javë që e lamë pas, kishim edhe nga YouTube Music, platformë e cila po zbulon një veçori që shumë përdorues e kanë pritur me padurim. Fjala është për aftësinë e këtij kanali për të kërkuar këngë, duke i kënduar ato. Kjo veçori u vu re në versionin e fundit të aplikacionit për Android dhe premton ta lehtësojë gjetjen e këngëve. Teknologjia që qëndron pas kësaj mundësie, e përdorë inteligjencën artificiale për të përshtatur tingujt me regjistrimet origjinale, duke e mundësuar identifikimin e shpejtë dhe të saktë të këngës që e kërkon përdoruesi.
Nëse ndonjëherë keni menduar se çfarë do të thotë fjala Wi-Fi apo mos është ndonjë shkurtesë, në vijim do të njiheni saktësisht. Wi-Fi në fakt nuk është shkurtim për asgjë, nuk është një akronim dhe nuk do të thotë asgjë. Fjala Wi-Fi është shpikur nga grupi i marketingut Interbrand, që u ishte ngarkuar detyra e gjetjes së një emri, që mbahet mend lehtë. Interbrand ka njoftuar se: “Pas disa opsionesh ne propozuam emrin ‘Wi-Fi’, pasi besuam që kjo do të mbahej në mend më lehtë nga përdoruesit”.







