Përmbledhjen javore në teknologji e fillojmë me një lajm aspak të mirë për kompanitë e telefonave të mençur. Tregu global i telefonave të mençur, ka vijuar me rënie të shitjeve në tre mujorin e dytë të 2023-ës, sipas raportimeve të Canalys dhe Counterpoint, që të dyja firma analitike të shitjeve. Sipas raportit në fjalë, shitjet e telefonave të mençur kanë pësuar rënie për 11 përqind, krahasuar me një vit më parë.
As për shërbimin Threads, nuk ka qenë një javë e mirë. Angazhimi në platformën a krijuar së fundmi Threads, ka rënë për 70 përqind, thotë raporti javor i publikuar nga ‘Sensor Tower’, që është një kompani marketingu dhe e analizës së bizneseve në Amerikë.
Kujtojmë që rrjeti social Threads, si platformë doli në treg vetëm dy javë më parë dhe theu rekord duke u bërë shërbimi i parë që tërhoqi mbi 100 milionë përdorues, vetëm në 5 ditët e para.
Platforma Twitter, po ashtu është bërë pjesë e mediave këtë javë. Twitter po e ndryshon rrënjësisht platformën dhe ka qenë Elon Musk, ai i cili përmes profilit të tij, ka treguar se logo e re e rrjetit social, tani e tutje do të jetë X. Kjo logo duket gjithashtu se ndërlidhet edhe me kompaninë tjetër të tij të ndërtimit të raketave hapësinore, Space X.
E me inteligjencën artificiale, është marrë edhe Organizata e Kombeve të Bashkuara, ku sipas Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres, sa më shpejtë duhet të krijohet një trup ndërkombëtar, për të ndihmuar në qeverisjen e përdorimit të inteligjencës artificiale. “OKB-ja ka një mundësi për të vendosur rregulla të koordinuara në mënyrë ndërkombëtare, për monitorimin dhe rregullimin e inteligjencës artificiale”, deklaroi ndër të tjera javën e shkuar Sekretari i Përgjithshëm, Guterres në takimin e parë ndonjëherë të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, dedikuar inteligjencës artificiale.