Përmbledhjen javore në teknologji, e fillojmë me vendin që e ka internetin më të shpejtë në botë. Sipas matësit Wisevoter, Monako që ka vetëm 36 mijë banorë, ka internet me shpejtësi mesatare prej 319.59 Mbps. Pas Monakos renditen Singapori, Kili, Hong-Kongu, Zvicra, Franca, Danimarka, Rumania e Tajlanda. Ndërsa, Kosova sipas këtyre matjeve, renditet e 84-ta në listë.
Javën që e kemi lënë pas, rregullatori më i lartë amerikan i privatësisë, ka akuzuar kompaninë Meta, që e zotëron Facebookun dhe Instagramin, se nuk ka vendosur kontrollin e duhur prindëror. Komisioni Federal i Tregtisë (FTC) ka thënë se Meta, duhet t’i ndalohet të fitojë para, nga të dhënat e fëmijëve. Pjesë të përmbledhjes javore e kemi edhe YouTuberin e famshëm Mr. Beast. Ai ka paralajmëruar se do të publikojë një video interesante, që pritet ta ndryshojë tërësisht rrjedhën e videove në YouTube. Për këtë video, YouTuber-i thotë se ka shpenzuar gati 4.000 orë apo përafërsisht gjashtë muaj, për ta edituar.
Në përmbledhjen javore teknologjike, e kemi edhe orën e kompanisë Apple, falë së cilës ka shpëtuar një grua. Sensori për detektimin e rrëzimit, ka shpëtuar jetën e gruas, identiteti i së cilës nuk është bërë i ditur, por ka qenë djali i saj, që përmes rrjeteve sociale ka treguar për ngjarjen. Veçoria e detektimit të rrëzimit, zbulon kur një person që mban një Apple Watch, ka pësuar një rënie të rëndë dhe nëse nuk ka përgjigje nga përdoruesi, thirret ndihma e urgjencës. Përdoruesja e orës Apple, ishte në një hotel, në një udhëtim pune, kur një dhimbje në gjoks e shqetësoi. Ajo më pas u rrëzua, me fytyrë në dysheme të dhomës së hotelit dhe ishte Apple Watch, që kërkoi ndihmë pasi ajo ishte rrëzuar dhe ora nuk zbuloi asnjë lëvizje.