Përmbledhjen javore në teknologji, e fillojmë me të rejat nga Twitter, rrjet ky që nuk do të ketë më ‘ticket’ blu, pra profil të verifikuar. Ky lajm na erdhi pas vendimit të Elon Musk, për të ndryshuar sistemin e verifikimit të platformës. Twitter insiston në një pagesë mujore prej 8 dollarësh, për t’u abonuar në ‘Twitter Blue’, nëse përdoruesit duan të mbajnë simbolin e tyre të verifikimit. Megjithatë, rregulli i Twitter nuk vlen për të gjithë njësoj, kjo pasi Elon Musk ka pranuar se po paguan për disa llogari në Twitter, që të ruajnë shenjat e tyre blu të verifikimit, përfshirë këtu Beyonce, Ronaldo dhe Paul McCartney.
Të reja javore kemi edhe nga WhatsApp, ku përdoruesit e këtij aplikacioni së shpejti do të kenë një opsion që do t’i lejojë ata t’i vendosin një “datë skadimi” grupeve të “chat-it” (bisedave). Kjo do të bëhet për të liruar hapësirë, duke qenë se ky aplikacion njihet për zënie të madhe të hapësirës, në celularët tanë.
Të reja teknologjike këtë javë, patëm edhe nga rajoni. Mali i Zi është bërë vendi i parë në botë, që Viber e ka zgjedhur për të vënë në dispozicion të përdoruesve shërbimin e tij Premium të abonimit. Siç thuhet në njoftim, përdoruesit nga Mali i Zi që vendosin të abonohen në Viber Plus, do të jenë të parët në botë që do të kenë mundësinë të aktivizojnë shërbime të reja, që do të jenë në dispozicion vetëm për abonentët. Zyrtarë nga kompania në fjalë, theksojnë se të gjitha shërbimet dhe funksionet tjera standarde të aplikacionit Viber, do të mbeten falas për përdoruesit në mbarë botën. Abonimi ‘Viber Plus’, kushton 1.99 dollarë në muaj dhe do të ofroj opsione të reja si: Viber pa reklama, mbështetje teknike të drejtpërdrejtë, ikona unike të aplikacionit, etj.
Këtë javë, Shoqata Profesionale e Informaticientëve të Kosovës (SHPIK), ka ftuar të gjithë të rinjtë që t’i bashkohen sesionit informativ rreth shkollës së re të mesme profesionale të informatikës, në Prishtinë. Shkolla e re e mesme profesionale e informatikës e Komunës së Prishtinës, është shkollë e specializuar në TIK, e cila do t’i ketë 5 drejtime dhe sesioni informues për të, do të mbahet zyrtarisht me datën 2 maj.