Përmbledhjen e lajmeve javore në teknologji e fillojmë me kompaninë Meta, e cila ka treguar se nuk ka arritur marrëveshje me kompaninë italiane Siae, e cila mbron të drejtat e autorit të kantautorëve dhe muzikantëve.
Në një njoftim nga Meta, thuhet: “për fat të keq, marrëveshja përkatëse nuk mund të rinovohet” dhe se “do të duhet të heqë nga biblioteka e saj muzikore pjesët e mbrojtura nga kompania italiane e të drejtave të autorit”. Nga ana tjetër, kompania italiane Siae, bëri të ditur se ky është një vendim i njëanshëm, “duke qenë se negociatat përkatëse janë ende në vazhdim dhe se ka vullnet për të nënshkruar një marrëveshje”. Këto masa vlejnë vetëm për përdoruesit e mediave sociale në Itali.
TikTok as këtë javë nuk ka gjetur qetësi pasi edhe Rrjeti Transmetues Britanik, BBC i ka kërkuar stafit që ta fshijnë aplikacionin kinez TikTok nga telefonat celularë të korporatave.
Lajme teknologjike këtë javë, kemi edhe nga vendi. Në Prishtinë është hapur ekspozita e pamjeve satelitore “Looking Beyond – Shikimi Përtej”. Kjo ngjarje është organizuar në kuadër të “Ditës Italiane të Kërkimit në Botë”, e cila shënohet më 15 prill, të këtij viti (2023), për të promovuar kërkimin italian mbi Shkencën dhe Hapësirën. Ekspozita “Looking Beyond – Shikimi Përtej”, do të jetë e hapur për publikun deri më 14 prill, çdo ditë, nga e hëna në të premte, nga ora 11:00 – 18:00 dhe hyrja është falas.