Përmbledhjen javore në teknologji, e fillojmë me më të rejat që vijnë nga kompania Xiaomi. Në javën e Kongresit Mobil Botëror, Xiaomi u prezantua me mbushësin e baterisë 300 W dhe gjatë demonstrimit u shfaq telefoni ‘Redmi Note 12 Pro+’, me bateri 4.100 mAh. Nga demonstrimi, bateria e telefonit të mençur, arrin 20 % mbushje të baterisë, në më pak se një minutë, në 50 përqind pas 2 minutash dhe 100 përqind pa arritur 5 minuta të plota.
Pjesë të të rejave javore, e kemi edhe Netflix-in, ku bëhet e ditur se ka zbritur çmimet në më shumë se 30 vende. Kjo ulje çmimesh vjen nga Netflix, si përpjekje që të tërheqë më shumë abonentë. Snapchat, po ashtu ishte kryefjalë e teknologjisë, javën që po e lëmë pas. Snapchat bëhet kompania më e fundit, e cila hyn në botën e inteligjencës artificiale duke prezantuar ‘My AI’.
‘My AI’ është në dispozicionin tuaj nga java e shkuar, si një funksionalitet eksperimental për Snapchat+, që është shërbimi me pagesë prej 3.99 dollarësh i rrjetit social. ‘My AI’ mund të bëjë disa veprime të ndryshme, si tu përgjigjet pyetjeve apo të shkruajë dhe është trajnuar që të ketë një zë unik dhe personalitet i cili krijon miqësi dhe është argëtues. “My AI mund të rekomandojë ide dhuratash për datëlindje, një plan për ecje gjatë fundjavës apo të sugjerojë një recetë për darkë”, njoftoi kompania në fjalë, përmes një postimi.
Kompania Nokia, është aktivizuar javën që po e lëmë pas. Nga kjo kompani bëjnë të ditur se po e ndryshojnë logon e tyre, për herë të parë në 60 vite, në mënyrë që të sinjalizojë ndryshimin e strategjisë. Nokia po heq ngjyrën blu dhe po e zëvendëson atë, e bashkë me logon, kompania ka njoftuar se nuk do të jetë më vetëm një kompani e telefonave, por një kompani e biznesit dhe e teknologjisë.