‘Dita Botërore e Obezitetit’ u krijua në vitin 2015, si një fushatë vjetore, me qëllim të stimulimit dhe mbështetjes së veprimeve praktike, që do t’i ndihmojë njerëzit të arrijnë dhe të mbajnë një peshë të shëndetshme.
Se cili është çelësi për parandalimin e mbipeshës dhe çka mund të bëjmë rreth saj në aspektin personal, Radio KFOR-i pyeti, Dr. Alban Ahmetin, i cili tha: “Zgjedhja e ushqimit më të shëndetshëm, përdorimi i limituar i ushqimeve të pashëndetshme, rritja e aktivitetit fizik, përmirësimi i gjumit, ulja e stresit dhe menaxhimit më të mirë të tij, janë vetëm disa nga veprimet tona, që çojnë në parandalimin e obezitetit.”
Obeziteti është një problem shëndetësor që rrit rrezikun e sëmundjeve dhe problemeve të tjera shëndetësore, si sëmundjet e zemrës, diabetin, presionin e lartë të gjakut dhe disa lloje kanceri. Prandaj, shënimi i kësaj dite ndihmon në ndërgjegjësimin e popullatës, në mbarë botën, mbi këtë sëmundje, sidomos mbi shkaqet që çojnë në obezitet, si trajtohet dhe si të parandalohet ajo.