Përmbledhjen javore në teknologji e fillojmë me lajmin se telefonat Android, do të vijnë me lidhje satelitore. Këtë e mundëson bashkëpunimi në mes të kompanisë globale të komunikimeve satelitore Iridium dhe gjigantit të çipave Qualcomm. Me këta telefona, në vendet ku nuk ka mbulim celular, telefonat mund të lidhen me satelitë kalimtarë për të dërguar dhe marrë mesazhe.
Në javën që po e lëmë pas, gjigandi Apple ka prezantuar një shërbim që lejon çdo autor të lexojë punën e tij me një zë dixhital, bazuar në inteligjencën artificiale. Në këtë mënyrë, autorët mund të publikojnë libra audio, duke përdorur “tregimin dixhital” të ofruar nga Apple. Ky “Tregim dixhital i Apple Books”, bashkon teknologjinë e përparuar të tekstit në të folur, me punën e palodhur të ekipeve të gjuhëtarëve dhe inxhinierëve edhe në audio, për të prodhuar audio-libra me cilësi të lartë”, kanë njoftuar nga kompania në fjalë, e cila aktualisht tregimin dixhital e ofron vetëm në gjuhën angleze. Kur jemi tek Apple, po në javën që po e lëmë pas, kuptuam se kompania do të prezantojë në pranverë të këtij viti kufjet e reja të realitetit virtual dhe do ta bëjë produktin të qasshëm për konsumatorët, deri në vjeshtën e këtij viti.
Në përmbledhjen javore të teknologjisë e kemi edhe një informacion që tingëllon shumë futurist. Është bërë publike data kur do të fillojnë së ndërtuari zyra e parë e punës në hapësirë. Blue Origin, kompania hapësinore e Jeff Bezos, do të ndërtojë qendër biznesi në hapësirë. E quajtur “Orbital Reef”, qendra do të jetë në orbitën e ulët të Tokës dhe ndërtimi i saj do të fillojë në vitin 2027.