Republika El Salvador, ka pranuar Bitcoinin si valutë të ligjshme, një lëvizje kjo që ka bërë shtetin dhe botën të debatojnë për mundësitë dhe rreziqet e kriptovalutave. Me këtë vendim, bizneset në El Salvador janë të obliguara të pranojnë monedhat digjitale, si formë pagese. Por menjëherë pas kësaj, pasuan krahasimet në mediat botërore teknologjike ku u tregua se bitcoin konsumon 7 herë më shumë energji, sesa Google!
Komisioni Irlandez për Mbrojtjen e të Dhënave është bërë krye temë javore teknologjike, pas “goditjes” së rëndë ndaj aplikacionit WhatsApp, duke e gjobitur atë me 225 milionë euro, për shkelje të ligjit të privatësisë së Bashkimit Evropian. Komisionit Irlandez për Mbrojtjen e të Dhënave (DPC), i është besuar rasti pasi selitë evropiane të Facebookut ndodhen në këtë shtet.
Javën që sapo e kemi lënë pas, është thelluar konkurrenca në mes të TikTok dhe Youtube. Statistikat e kësaj jave tregojnë se përdoruesit po shpenzojnë më shumë kohë në TikTok, se sa në YouTube. Sipas këtij raporti, koha mesatare e shpenzuar për përdorues në TikTok, është më e lartë sesa në YouTube, megjithatë ky i fundit mban vendin e parë për nga koha e përgjithshme e shpenzuar.
Nga java që sapo e kemi lënë pas, e mbarë bota e di që Apple, do të mbajë konferencën më 14 shtator, aty ku pritet të debutojë i shumëprituri, iPhone 13. Për shkak të pandemisë, edhe ky organizim do të bëhet në mënyrë virtuale.