Përmbledhjen javore teknologjike të kësaj jave që po e lëmë pas, po e fillojmë me telefonin befasi nga gjigandi Samsung. Është Samsung Galaxy A14 5G, telefoni i cili bëhet e ditur se ka kaluar nëpër testet e Komisionit Federal të Komunikimeve. Tipi A14 5G, pritet të ketë bateri me kapacitet prej 5.000 mAhm dhe kamera kryesore e tij do të ketë 50 MP, ndërsa kamera e tij e përparme për selfie, do të ketë 13MP.
Javën që po e lëmë pas, patëm edhe një ankand teknologjik. Një kompjuter plotësisht funksional Apple 1, i cili është vënë në shitje për 241 mijë dollarë. Kompjuteri vjen me të gjithë komponentët dhe aksesorët e nevojshëm për funksionim. Ankandi do përfundojë më 15 dhjetor dhe parashikimet janë që të shitet me një çmim përfundimtar prej rreth 375.000 dollarësh.
Nga java teknologjike që po e lëmë pas, e kemi edhe një datë historike.
Më 5 dhjetor, njëra nga projektet më të mëdha shkencore të shekullit të 21-të, filloi me fazën e ndërtimit. Fjala është për The Square Kilometre Array (SKA), radioteleskopi më i madh në botë, i cili pritet të përfundoj në vitin 2028. I ndarë në të gjithë Afrikën e Jugut dhe Australinë, me një seli në Britaninë e Madhe, objekti do të adresojë pyetjet më të mëdha në astrofizikë. Ky radioteleskop do të kryejë testet më të sakta të teorive të Ajnshtajnit dhe madje do të kërkojë edhe për jashtëtokësorë.