Përmbledhjen javore të teknologjisë, e fillojmë me të rejat nga Samsung. Pa shume pritjesh, më në fund, Samsung ka vendosur që të lansojë versionin ‘One UI 5.0’, bazuar në tipin ‘Android 13’, për përdoruesit e Galaxy S22. Kur jemi tek gjigandi Samsung, ai ka njoftuar po javën që po e lëmë pas, se në datat 8 dhe 9 nëntor, do të zhvillojë një forum, i cili këtë vit do të mbahet fizikisht, për herë të parë në tre vjet.
Pjesë e përmbledhjes teknologjike këtë javë është edhe portali, Steam. Para së gjithash, Steam është portal i shumanshëm, e përdorimin më të madh e ka në atë që na lidhë me miq të rinj, me të cilët mund të luajmë lojëra online. Ky portal është bërë pjesë e lajmeve teknologjike, pasi ka thyer një rekord të rëndësishëm historik. Portali i lojërave në fjalë, regjistroi mbi 30 milionë përdorues të njëkohshëm për herë të parë, në javën që po e lëmë pas.
Një robot bujqësor, është po ashtu lajm teknologjik këtë javë. Kompania agroteknike Robotics Plus, nga Zelanda e Re, ka lansuar platformën e saj autonome të automjeteve me shumë përdorime, e krijuar për të kryer një sërë detyrash makinerish në pemëtore dhe vreshta. Kjo pajisje robotike pritet të lehtësojë punën e vazhdueshme, sidomos aty ku ka mungesë të punëtorëve dhe ndihmon në transformimin e industrisë. Automjeti tokësor pa pilot (UGV), mund të mbikëqyret nga një operator i vetëm njerëzor.