Përmbledhjen javore të teknologjisë e nisim me detajet për modelet e reja të markës Samsung, Galaxy. Modelet S23, janë pajisur me mbushës 25W, qysh muajin e kaluar, ndërsa këtë javë u bë e ditur se Galaxy S23, do të fuqizohet nga një bateri 3.900 mAh, që është 200 mAh më shumë se S22. Sa i përket kamerave, seria e re do të ketë kamera ultra të gjera 12 MP. Pjesë e të rejave teknologjike është edhe Sony. Gjigandi ka porositur 2 milionë kufje të realitetit virtual, pasi shpreson që kufjet e reja PlayStation VR2, së bashku me PS5, do të bëjnë që të ketë shpërndarje shumë të madhe të lojërave gjatë vitit të ardhshëm. Një sukses historik këtë javë e ka arritur edhe Apple Music, e cila nga java e shkuar, ka mbi 100 milionë këngë, në platformën muzikore.
Të reja javore kemi edhe nga Google, kompani kjo e cila javën që po e lëmë pas, ka njoftuar se duke filluar nga viti i ardhshëm, do të njoftojë nëse informacionet personale të secilit, si numri i telefonit, e-maili ose adresa e shtëpisë, do të shfaqet në rezultatet e kërkimit. Lajmi vjen pasi Google, zyrtarisht lansoi një mjet ku përdoruesit mund të bëjnë kërkesë për të hequr informacionet e tyre personale nga rezultatet e kërkimit. Google njoftoi se sistemi i njoftimeve do të jetë preferencial dhe përdoruesit mund ta aktivizojnë ose jo.