Përmbledhjen javore e fillojmë me më të rejat që na vijnë nga NASA. Astronomët kanë zbuluar diçka që ata e kanë quajtur një “botë aliene ujore”, një planet ky i mbuluar plotësisht nga oqeani. I gjendur në sistemin diellor të një ylli rreth 100 vite-dritë larg tokës, ku 1 vit zgjatë 11 ditë, planeti ndodhet në të ashtuquajturën “Zona Goldilocks” ose “Zona e Banueshme”, ku temperatura e tij do të ishte e duhura për formimin e ujit të lëngshëm në sipërfaqe. Ashtu si toka, ky planet do të kishte aftësinë ta ruante ujin e lëngshëm, pasi distanca nga ‘dielli’ i tij e bën të mundur mos të jetë as shumë i nxehtë as shumë i ftohtë.
Të reja javore kemi edhe nga SnapChat. Aplikacioni për faqe (ueb), tani është në dispozicion për të gjithë, e bashkë me këtë njoftim, Snap lëshoi gjithashtu mini-aplikacione të reja ‘iOS 16’, për ekranin e kyçjes që e bëjnë më të lehtë për përdoruesit të hidhen në biseda.
Marka e njohur e veturave BMW, ka paralajmëruar se mbetjet plastike të oqeanit do të shfaqen në veturat e reja të vitit 2025. Projekti me mbetje të oqeanit vjen pasi që BMW po mbledh plastikë dhe najlon të hedhur, për të ndaluar hedhjen e tyre në det. Në një partneritet me kompaninë daneze PLASTIX, plastika kthehet në granula të vogla të cilat mund të përdoren për herë të parë në makinat e derdhjes me injeksion për të krijuar pjesë nga plastika.