Përmbledhjen javore teknologjike, këtë javë e fillojmë me markën Samsung. Kompania në fjalë ka lansuar një video incizim zyrtar për ngjarjen “Unpacked”, që njëherit është edhe ngjarja e debutimit të gjeneratës së re të smartfonëve (Telefonave të mençur), me ekrane me palosje ‘Galaxy Z Fold 4’ dhe ‘Z Flip 4’. Data e debutimit të serisë së re është 10 gushti, ndërkohë sipas spekulimeve, modeli i ri ‘Galaxy Z Fold 4’, do të ketë një dizajn të përditësuar me një bosht në vend të dy boshteve të palosjes, që kishin gjeneratat e kaluara. Boshti i ri i palosjes do të jetë më i hollë, i lehtë dhe smartfoni do të vijojë të paloset në formën e një libri. Telefoni do të ketë ekran 7.6-inç dhe një skaner të shenjave të gishtërinjve nën ekran. Kamera të përmirësuara po vinë gjithashtu, përfshirë një sensor telefoto me 10-megapiksel, një kamër 50-megapiksel me kënd të gjerë dhe një kamër 12-megapiksel ultrawide.
Në pjesën e përmbledhjes teknologjike javore, është edhe TikTok-u, që paska në plan të lansoj një aplikacion të muzikës. Dosjet e patentave që janë dorëzuar, sugjerojnë se TikTok në fakt veçse është duke punuar në këtë drejtim dhe se është paraqitur një aplikim për “TikTok Music”, në Zyrën e Patentave dhe Markave në SHBA, përgjatë muajit maj, të këtij viti. Derisa TikTok- u është i preokupuar me aplikacionin e ri, marka e veturave Volkswagen, po i hyn tregut të dronëve. Volkswagen ka zbuluar prototipin V.MO të “dronit të pasagjerëve”, që në fakt është një fluturake elektrike. Pjesërisht helikopter dhe pjesërisht dron, V.MO do të jetë i gjatë 11.2 metra dhe ka një hapësirë krahësh prej 10.6 metra. Ndërsa V.MO është aktualisht një prototip, zyrtarë nga marka Volkswagen, kanë njoftuar se modeli mund të transportojë katër pasagjerë dhe bagazhet e tyre, deri në 200 km, në formën e tij përfundimtare.