Në vitet e fundit, kompania Samsung është bazuar në përdorimin e dy çipave të ndryshëm në serinë e telefonave Galaxy-S, ndërkohë javën që po e lëmë pas u dha lajmi se gjenerata ‘S23’, do të përdorë vetëm çipin SnapDragon. Në këtë vendim të Samsung, duket se kanë kontribuuar pabarazitë në performancën mes dy çipave që krijuan përçarje tek konsumatorët e tyre dhe Samsung duket se më në fund do t’i japë fund kësaj praktike. Analisti i njohur Ming-Chi Kuo beson se Qualcomm do të jetë furnizues i vetëm i çipave për serinë e re të telefonave Galaxy S23, duke e furnizuar kompaninë në fjalë me çipin e ri SnapDragon 8.
Lajme të reja këtë javë patëm edhe nga dronët. Airspace Link, një ofrues i infrastrukturës dixhitale të sigurisë së dronëve në Detroit, raportoi se ka përfunduar një operacion të suksesshëm fluturimi 10-ditor duke shfaqur një program transporti me dron në botën reale, për të transportuar artikuj ‘kritikë’ mjekësore.
Po javën që e kemi lënë pas, na erdhi edhe një rekord mahnitës nga qielli. Airbus, ka thyer rekordin për fluturimin më të gjatë të një fluturakeje të saj, kjo sipas të dhënave të fundit të gjurmimit të fluturimeve. Bëhet fjalë për ‘Airbus Zephyr S’, që i kaloi plotë 26 ditë në ajër – duke thyer kështu rekordin e arritur në vitin 2018. Mjeti fluturon lart në atmosferë për të shmangur trafikun ajror komercial si dhe reshjet atmosferike. Fluturakja furnizohet me energji solare, ndërsa bateritë e ndihmojnë që të qëndrojë në ajër gjatë udhëtimit natës – që do të thotë se nuk ka nevojë për zbritje për t’u mbushur.