Në javën që po e lëmë pas, kuptuam se kompanive globale të telefonave të mençur, po u shtohet edhe një konkurrent. ‘Nothing’, është startup-i i teknologjisë i udhëhequr nga bashkë-themeluesi i OnePlus, Carl Pei, që do të prezantojë telefonin e mençur (smartfonin) e tij të parë, në një ngjarje e cila do të organizohet me datën 12 korrik. Siç bëhet e ditur, ‘Nothing Phone 1’, do të jetë pajisja e dytë e kompanisë, pas lansimit të kufjeve të saj pa tela ‘Ear 1’, vitin e kaluar. Ngjarja do të mbahet në Londër, me prani fizike.
Përfundimisht është shuar ‘Internet Explorer’. Kompania e teknologjisë Microsoft, ka njoftuar se pas 27 vitesh, po e shuan shfletuesin e kërkimit të lansuar në vitin 1995. Se ‘Internet Explorer’, do të shuhej, është bërë e ditur qysh vitin e shkuar (2021), mirëpo javën që kemi lënë pas, kanë filluar procedurat.
Idenë e dërgesave, të cilën e menduan gjatë masave të rrepta të pandemisë së CoViD-19, Amazoni po e realizon tani. Zyrtarë të shitjeve të kompanisë Amazon, kanë njoftuar se do të fillojnë dërgimin e pakove për blerësit me dronë këtë vit dhe se është në pritje të miratimit përfundimtar të rregullatorit. Nga Amazon bëhet e ditur gjithashtu se dronët do të programohen për të hedhur pako në oborret e klientëve dhe se ata do të jenë në gjendje të fluturojnë “përtej vijës së shikimit”, që do të thotë se nuk duhet të kontrollohen nga një vëzhgues vizual dhe në vend të kësaj do të përdoren censorë për të shmangur avionët e tjerë, njerëzit, kafshët shtëpiake apo pengesat tjera.