Javën që po e lëmë pas u bënë të ditura pajisjet Mac, të cilat nuk do të mbështeten më nga Apple. Po flasim për modelet: iMac 2012, Mac Mini 2012 e Mac Pro 2010, që nuk do të mbështeten më as riparohen nga kompania. Kjo, pasi zakonisht Apple, mbështet pajisjet vetëm për 5 vite nga momenti i debutimit, ndërsa nëse janë të dispozicion, pjesët e tyre shiten vetëm për 7 vite. Por, një produkt i Apple konsiderohet i vjetër dhe nuk mbështetet më nëse kanë kaluar 7 vite.
Platforma e muzikës, Spotify, ka bërë të ditur se ka shënuar rritje të përdoruesve. Platforma ka mbyllur tremujorin e parë të vitit 2022, me 182 milionë abonentë me pagesë, një rritje me 15% krahasuar me një vit më parë. Të ardhurat nga abonimet ishin 2.38 miliardë euro ose 23% më shumë, krahasuar me një vit më parë. Në tërësi, platforma numëron 422 milionë përdorues aktivë në ditë.
Nga lajmet javore kemi veçuar edhe funksionin e ri të rrjetit Instagram, që e kemi në Facebook prej shumë kohësh, mirëpo tani do ta kemi edhe në Instagram. Ky rrjet social është duke eksploruar funksionin e ri, ku përdoruesit mund bëjnë foto dhe t’i vendosin në krye të profilit, pra po flasim për opsionin “Pin to your profile” (Gozhdoje në profilin tënd).