1 Maji, në pothuajse gjithë botën shënon ‘Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve’, për të nderuar sakrificat dhe punën e miliona punonjësve në gjithë botën por edhe për të ngritur zërin për padrejtësitë që u bëhen shumë punëtorëve, sa i përket trajtimit të tyre në vendin e punës, oraret e tej zgjatura dhe mungesa e pagës për shërbimet e ofruara.
Zanafilla e shënimit të kësaj dite, ka nisur në vitin 1886, në Amerikë ku punëtorë të sektorit privat dhe publik filluan një grevë paqësore, për të kërkuar orarin e punës jo më shumë se 8 orë në ditë. Greva në fjalë, përfundoi në mënyrë tragjike, me humbjen e jetës së shumë personave.
Në këtë ditë, organizohen fushata dhe kërkesa në gjithë botën, për tu solidarizuar edhe me vendet, ku punonjësit nuk i trajtojnë si duhet. Një nga çështjet më të rëndësishme të ngritur në vitet e fundit, është detyrimi i fëmijëve për të punuar, e që mbrohet nga ‘Konventa për të Drejtat e Fëmijëve’, por që abuzohet dhe nuk respektohet në shumë vende të botës.