Java teknologjike këtë herë filloi me lajmin për reduktim të prodhimit. Është gjigandi Apple i cili po redukton prodhimin e modelit të ri buxhetor ‘iPhone SE’, për shkak të kërkesës së ulët. Kompania thuhet se u ka kërkuar furnizuesve të reduktojnë prodhimin e ‘iPhone SE’, e bashkë me këtë bëhet e ditur se gjigandi reduktoi gjithashtu porositë për ‘AirPods’, me 10 milionë njësi për vitin 2022.
Pjesë e lajmeve teknologjike javore është edhe kompania britanike Dyson, e cila ka krijuar kufjet që na mbrojnë nga ajri i ndotur. Fjala është për kufjet ‘Dyson Zone’, të cilat përfshijnë një maskë pastruese të krijuar për të ndihmuar njerëzit të shmangin ajrin e ndotur në qytete. Pajisja kombinon kufjet e veshit që ndalojnë zhurmën me një maskë që vendoset pikërisht përpara hundës dhe gojës, duke ofruar ajër të filtruar. Deri tek zhvillimi i këtyre kufjeve ka ardhur pas raportit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), e cila ka vlerësuar se 9 në 10 njerëz, globalisht thithin ajër që tejkalon udhëzimet e saj për kufijtë e ndotësve.
Këtë javë, ligjvënësit Evropianë ranë dakord për një set rregullash të reja, të cilat do të adresojnë dominimin e gjigantëve të teknologjisë. Nën Aktin e Tregjeve Dixhitale (DMA), gjigantë si Google dhe Apple, do të detyrohen të hapin shërbimet dhe platformat e tyre edhe për biznese të tjera. Bazuar në Aktin e Tregjeve Dixhitale, Apple do të detyrohet të hapë App Store, ndaj sistemeve të pagesave të palëve të treta. Ndërkohë, Google do t’i kërkohet të lejojë motorë kërkimi alternativë në sistemin operativ Android, Google Maps ose shfletuesin Chrome.