Duke filluar nga java që po e lëmë pas, më konkretisht nga data 7 dhjetor, zyrtarë nga kompania Google, njoftuan se tani aplikacioni ‘Gmail’, do të ofroj thirrje zanore dhe me video për të gjithë përdoruesit e aplikacioneve iOS dhe Android. Për këto funksione të reja, kemi qenë të njoftuar qysh në muajin shtator dhe kjo do të vlej edhe për të gjithë përdoruesit e Google Workspace, G Suite dhe llogaritë personale në Google. Realizimi i thirrjeve përmes aplikacionit Gmail, ka qenë i mundur edhe më herët, mirëpo nevojitej dërgimi i një ftese tek Google Meet. Tani e tutje dy ikona të thjeshta do të ofrohen për thirrjet audio dhe video dhe me këtë opsion, Google po shkon drejt synimit për ta bërë Gmail-in, një hapësirë qendrore për komunikim.
Nga të rejat e fundit, veçojmë edhe lajmin nga Instagrami, të cilët më në fund, do të shfaqin veçorinë e kontrollit prindëror në platformën e tyre dhe kjo pritet të ndodhë, nga fillimi i muajit mars, të vitit 2022. Kjo veçori e re, do t’ua mundësojë prindërve dhe kujdestarëve të fëmijëve, që të përcjellin se sa kohë po kalojnë fëmijët në Instagram, t’u caktojnë atyre limite përdorimi dhe të njoftohen nëse fëmija e raporton dikë.
Në këtë javë që po e lëmë pas, mund të jetë bërë edhe hakimi më shkatërrimtar deri më sot, në botën e kripto-valutave. Këmbimorja e kriptovalutave Bitmart, është hakuar dhe me këtë rast ka humbur në vlerë rreth 196 milionë dollarë, kriptovaluta të ndryshme. Përfaqësuesit e kriptovalutave Bitmart, fillimisht pretenduan se daljet ishin tërheqje rutinë, duke iu referuar raporteve të hakimit si “lajme të rreme”. Mirëpo, më vonë përmes një postimi në Twitter, ata e konfirmuan se ishin hakuar.