Radio KFOR-i sikurse çdo javë edhe sot ju njeh me disa nga më të rejat e fushës së teknologjisë, të kësaj jave që e lamë pas:
– Italia ka nisur pilot projektin për integrimin e Inteligjencës Artificiale në 15 shkolla për të integruar teknologjinë e AI në procesin mësimor. Qëllimi është të përmirësohet përvoja e të mësuarit dhe të adresohet ndarja digjitale. Një klasë do të përdorë metodën tradicionale, ndërsa një tjetër do të integrojë AI për të krahasuar rezultatet përfundimtare.
– Shefja e teknologjisë në OpenAI, Mira Murati ka dhënë dorëheqje nga kompania OpenAI, pas gjashtë vjetësh e gjysmë pune në këtë kompani. Murati ka njoftuar se dëshiron të krijojë “kohë dhe hapësirë për të eksploruar” dhe të sigurojë një “tranzicion” të lehtë për kompaninë. Sam Altman e falënderoi atë për kontributin e saj në misionin e OpenAI.
– Çipi i Elon Musk për shikim është miratuar nga Administrata e Ushqimit dhe Barnave (FDA), në SHBA. Neuralink, kompania e Elon Musk, ka marrë miratimin e FDA-së për një implant që synon të rikthejë shikimin tek ata që e kanë humbur atë. Pajisja eksperimentale, e quajtur Blindsight, do të ndihmojë pacientët të rikthejnë shikimin duke transmetuar sinjale nervore. Detajet për daljen e tij në treg, ende nuk janë dhënë.
– ChatGPT me projektin e radhës planifikon të ketë mbi 50 gjuhë, për komunikim me zë. OpenAI tani ka lëshuar në treg opsionin Advanced Voice për ChatGPT, duke lejuar përdoruesit të komunikojnë me robotin virtual përmes zërit, në më shumë se 50 gjuhë. Ky funksion, i cili është në dispozicion për përdoruesit e abonimeve “Plus” dhe “Team”, synon të ofrojë një përvojë më interaktive dhe të personalizuar, duke përfshirë përmirësime edhe në memorie.
– Samsungu ka dalë kompania me shitjet më të mëdha të telefonave, por edhe kompania Xiaomi e ka kaluar me shitje kompaninë Apple. Xiaomi ka kaluar Apple për shitjet globale në gusht, duke u renditur e dyta pas Samsungut, sipas Counterpoint Research. Shitjet e Xiaomit janë rritur me 22% krahasuar me vitin e kaluar, falë modeleve të lira si Redmi 13 dhe Note 13, ndërsa Apple ka pasur rënie të zakonshme para prezantimit të iPhone-it të ri, ndërsa Samsung është duke prirë në treg.
– Mark Zuckerberg zbuloi “Orion”, “syzet më të avancuara që ka parë bota ndonjëherë” në një ngjarje të Meta-s, duke i përshkruar ato si syzet më të avancuara. Këto syze janë duke u zhvilluar për një dekadë dhe ofrojnë përvoja digjitale pa kufizime, por ende janë në fazën e zhvillimit dhe kërkojnë përmirësime për të arritur në treg.
– Tani veçoria e re në YouTube, ju lejon të bëni pyetje për çdo gjë që shikoni. Google ka lëshuar një veçori të re për abonentët Premium të YouTube, që lejon përdoruesit të angazhohen me video duke bërë pyetje me ndihmën e AI. Mjeti aktualisht është në dispozicion vetëm në anglisht për përdoruesit e moshës 18 vjeç e lart dhe funksionon ekskluzivisht vetëm në pajisjet Android.
– Seritë Samsung Galaxy S24 FE dhe Tab S10 do të zbulohen javën e ardhshme. Ka spekulime se Samsung mund të zbulojë seritë Galaxy S24 FE dhe Tab S10 në një ngjarje më 3 tetor. Më shumë detaje priten të publikohen së shpejti, por deri tani, datat janë ende nuk janë fikse, e aq më pak se kur do ti kemi këta telefona në tregun e Kosovës.
– Java që e lamë pas, shënoi edhe një moment historik në teknologji, ku roboti “dentist” kreu procedurën e parë tek një pacient. Ishte ky një robot autonom i cili kreu për herë të parë një procedurë dentare, duke e realizuar atë rreth tetë herë më shpejt se sa një dentist. Ky robot përdor teknologjinë OCT për të zbuluar problemet dentare dhe e realizoi procedurën përgatitore për kurorë dentare në vetëm 15 minuta. Megjithatë, roboti ende nuk është miratuar nga FDA për përdorim të gjerë.