Përmbledhjen javore në fushën e teknologjisë e fillojmë me një paralajmërim të rëndësishëm, për përdoruesit e pajisjeve të Apple. Pajisjet iPhone, iPad dhe Apple Watch, kanë një veçori e cila gjurmon muzikën që e dëgjoni dhe ju paralajmëron nëse volumi i saj është i lartë. “Njoftimet ju bëjnë të ditur nëse audioja juaj ka qenë mjaft e lartë për një kohë të gjatë sa për të ndikuar negativisht në dëgjimin tuaj, për shembull mbi 80 decibel për 40 orë brenda 7 ditëve të fundit”, shpjegoi kompania Apple, duke ftuar të gjithë përdoruesit që në momentin që marrin njoftimin se kanë tejkaluar kufirin e zërit, ta zvogëlojnë volumin, në mënyrë që të mos e dëmtojnë dëgjimin.
Java që po e lëmë pas, ka rezervuar edhe një inovacion revolucionar. Shkencëtarët e ekipit të Universitetit të Wisconsin-it kanë zhvilluar për herë të parë një ind qelizash që formon pëlhurën e trurit me anë të printerit 3D, pëlhurë kjo që funksionon sikur ajo e trurit natyral. Indet e trurit të printuara në 3D imitojnë funksionin e trurit të njeriut. Kjo gjë po konsiderohet si arritje e madhe nga shkencëtarët pasi që tani mund të studiohen më me lehtësi sëmundjet e trurit, si Alzheimeri e Parkinsoni.
Edhe inteligjenca artificiale, po ashtu ishte krye temë këtë javë. Është Google, kompani kjo e cila ka premtuar 25 milionë euro për të ndihmuar njerëzit në Evropë, që të mësojnë të përdorin inteligjencën artificiale (AI). Gjigandi i teknologjisë tha se i kishte hapur aplikime për ndërmarrjet sociale dhe organizatat jofitimprurëse, që mund të ndihmojnë në arritjen e këtij synimi.