Përmbledhjen javore në teknologji, e fillojmë me të rejat nga kompania Samsung, e cila ka bërë një hap të madh për të ardhmen e teknologjisë së smartfonëve, me prezantimin e “Galaxy AI”. Samsung konfirmoi se do të lansojë softuerin e ri, përmes së cilit do të ofrohen përkthime në kohë reale të audios dhe tekstit gjatë telefonatave. Kjo i bie, që nëse jeni duke bërë një telefonatë me dikë që flet, atëherë përkthimi do ju vij drejtpërdrejtë. Edhe veturat janë pjesë e përmbledhjes teknologjike këtë javë.
Evropa po heq dorë nga ndërruesi manual i shpejtësive. Epoka e ardhshme e veturave elektrike, pastaj komunikacioni i dendur dhe kolonat e gjata, po e bëjnë ndërrimin manual të shpejtësisë çdo herë e më të bezdisshëm. Në vitin 2010, në Evropë veturat e reja me ndërruesit automatik përbënin vetëm dhjetë për qind të tregut total, e në gjysmën e parë të këtij viti, ndërruesi automatik ka përbërë pothuajse 70 për qind të shitjeve.
Kompania tjetër Dictador, që është një prodhues i pijeve alkoolike, ka emëruar si drejtore ekzekutive një robot dhe kjo po ndodh për herë të parë në botë. Fjala është për robotin e emëruar Mika, që përdor inteligjencën artificiale të avancuar dhe algoritme të mësimit të makinerive për të lehtësuar vendimmarrjen e bazuar në të dhëna. Ekipi në Dictador, ka përshtatur robotin Mika, për të mishëruar vlerat thelbësore të kompanisë, duke e bërë Mika-n, imazh të kompanisë. Në një video të korporatës, Mika shtjellon aftësinë e saj për të marrë vendime të shpejta dhe të sakta. E lumtur për pozicionin e saj Mika, tha se në fakt ishte më e mirë se miliarderi i teknologjisë, Elon Musk.