Të rejat javore në teknologji, i fillojmë me lajmet për telefonat e mençur. Hulumtimi i kompanisë analitike Counterpoint, ka treguar se për periudhën korrik-shtator 2023, dërgesa globale e telefonave, shënoi një rënie prej 8 për qind, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Të reja javore kemi edhe nga inteligjenca artificiale. Google ka rënë dakord të investojë deri në 2 miliardë dollarë në kompaninë e inteligjencës artificiale ‘Anthropic’. Kur jemi tek inteligjenca artificiale, po këtë javë, kompania që solli revolucion në këtë fushe, OpenAl ka njoftuar për formimin e një ekipi të ri, që do të vlerësojë dhe konsiderojë rreziqet që mund të na vijnë nga modelet e inteligjencës artificiale. Përgjegjësitë e ekipit, do të jenë gjurmimi, parashikimi dhe mbrojtja nga rreziqet që mund të sjellin në të ardhmen sistemet e inteligjencës artificiale. OpenAI liston disa prej hapësirave me rrezik të lartë, si kërcënimet biologjike, radiologjike dhe nukleare që mund të vijnë nga modelet e inteligjencës artificiale.