Përmbledhjen teknologjike këtë javë, e fillojmë me kompaninë OnePlus, që më në fund ka prezantuar telefonin e parë të palosshëm. Fjala është për OnePlus Open, që është dizajnuar në formë të librit dhe më i përshtatshëm për përdorim. Kur OnePlus Open mbyllet, përdoruesi ka në dispozicion ekranin 6.31 inç, ndërkohë me hapjen e telefonit të mençur, krijohet një ekran prej 7.82-inç. Telefoni është i pajisur me pesë kamera dhe i njëjti pritet të kushtojë 1.799 euro.
Teknologjia, duket që së shpejti do të kontribuojë edhe në zvogëlimin e pasojave të turbulencave në aeroplan. Arsyeja pse ndodhin turbulencat zakonisht është si pasojë e presionit atmosferik, rrymave të ajrit, në veçanti të ajrit të ftohtë dhe nxehtë rreth maleve si dhe kur ka riga shiu. Mirëpo kompania austriake ‘Turbulence Solutions’, me seli në Vjenë, po synon të zvogëlojë pasojat e turbulencës, duke përcjellë, parashikuar dhe mbajtur nën kontroll situatën me ndihmën e një sensori dhe softuerit për kontrollin e fluturimit. Sistemi, siç thotë kompania, mund të zvogëlojë turbulencat që ndihen te pasagjerët, deri në 80 për qind. Sistemi në fjalë, aktualisht është në fazë testuese.
Po në javën që po e lëmë pas, astronomët kanë njoftuar se kanë zbuluar një shpërthim misterioz të radiovalëve të cilave u janë dashur 8 miliardë vjet që të arrijnë në Tokë. Shpërthimi, është një nga më të largëtit dhe më energjikët, që janë vërejtur ndonjëherë.