Përmbledhjen javore në teknologji, e fillojmë me të rejat nga kompania Samsung, e cila duket që aksidentalisht ka njoftuar se produktet e tyre të reja, do të dalin në treg së shpejti. Dega argjentinase e Samsung, e ka postuar një imazh ku shfaqen të tre produktet – Galaxy S23 FE, Galaxy Tab S9 FE dhe Galaxy Buds FE. Për më tepër, imazhi i publikuar erdhi me një përshkrim, ku emërohen të tre pajisjet, duke dhënë hapësirë për argumentim se Samsung, veçse i ka prezantuar ato.
Microsoft, po ashtu ka bërë bujë të madhe këtë javë që po e lëmë pas. Asistenti i Inteligjencës Artificiale të Microsoft, do të jetë i qasshëm nga data 1 nëntor, për disa plane biznesi. Por asistenti si pjesë e paketës, nuk do të vijë falas. Përkundrazi përdoruesit duhet të paguajnë 30 dollarë në muaj, për të pasur qasje aty. Kur jemi tek Inteligjenca Artificiale, kompania që solli revolucion, OpenAI, do të përballet me padi. Autorët amerikanë George Martin dhe John Grisham, kanë paditur pronarin e ChatGPT, kompaninë OpenAI, mbi pretendimet se e drejta e tyre e autorit ishte shkelur për të trajnuar sistemin. Martin është i njohur për serialin e tij “A Song of Ice and Fire”, i cili u përshtat në shfaqjen e HBO, serialin ‘Game of Thrones’. Padia pretendon se librat e autorëve, janë përdorur pa lejen e tyre, vetëm për ta bërë ChatGPT-në më të zgjuar.







