Në një kohë kur industria ushqimore është një nga ndotësit më të mëdhenj global, gastronomia e qëndrueshme ofron një alternativë të mençur: të hamë mirë, të konsumojmë me ndërgjegje dhe të respektojmë natyrën. Sot, me 18 qershor, shënojmë ‘Ditën Botërore të Gastronomisë së Qëndrueshme’, një ditë që na kujton se ushqimi nuk është vetëm një kënaqësi për shijen, por edhe një akt përgjegjësie ndaj natyrës, kulturës dhe ekonomisë.
Gastronomia e qëndrueshme lidhet me përdorimin e produkteve lokale e sezonale, zvogëlimin e mbetjeve ushqimore, respektimin e biodiversitetit dhe mbështetjen e fermerëve të vegjël.
Kuzhinierët dhe restorantet kanë rol kyç në promovimin e gastronomisë së qëndrueshme. Duke ofruar meny me përbërës lokalë, organikë dhe të prodhuar në mënyrë etike, ata ndikojnë drejtpërdrejt në sjelljet e konsumatorëve. Po ashtu, secili nga ne si konsumator, ka fuqinë të bëjë ndryshim përmes zgjedhjeve të përditshme: të blejmë më pak, por më mirë dhe të zgjedhim produkte që nuk dëmtojnë tokën.
Në ‘Ditën Botërore të Gastronomisë së Qëndrueshme’, le të reflektojmë mbi çdo ushqim që vendosim në tryezë. Jo vetëm si burim energjie apo kënaqësie, por si pjesë e një cikli më të madh jetësor që lidhet me mjedisin, shëndetin dhe kulturën.







