“Është e vështirë të ketë ndonjë këngëtare në Zvicër e më të suksesshme në botë, sesa Ilira Gashi”, “Pas Tina Turner-it, Ilira është këngëtarja më e njohur në Spotify”, “Kënga ‘Fading’, e këngëtares ILIRA grumbullon 50 milionë klikime vetëm në Youtube”, këta ishin vetëm disa nga titujt e mediave prestigjioze botërore, kushtuar yllit të pop-it me prejardhje nga Kosova, Ilira Gashi, e cila është e lindur dhe e rritur në Köniz të Bern-it.
Ilira ka filluar karrierën muzikore me shfaqje të ndryshme në shkollën fillore, për të vazhduar me paraqitjet e shumta në televizione zvicerane dhe shqiptare. Më pas ajo u transferua në Gjermani dhe nënshkroi një kontratë me Sony / ATV Music Publishing. Ndërkohë nga gushti i vitit 2018, ILIRA ka nënshkruar kontratë me Four Music, e sot është një nga emrat më premtues të tregut botëror të muzikës.
Përmes frekuencave të Radio KFOR-it, ILIRA u ka bërë thirrje të gjithëve, veçanërisht vajzave dhe grave që të mos heqin dorë kurrë nga ëndrrat e tyre: “Dua të ju them të gjitha vajzave dhe grave nëse keni një vizion ose një ëndërr, vetëm punoni me mirësi dhe pasion. Asnjëherë mos i dëgjoni njerëzit tjerë edhe nëse është familja, burri, gjyshja… Bëni atë çfarë ju bën juve të lumtur dhe mos harroni – NE KEMI VETËM KËTË JETË.”
Në statistikat vjetore të Spotify të publikuara në vitin 2021, ILIRA rezultoi të ishte një nga artistet më të dëgjuara në botë me plot 87.7 milionë herë dëgjime në Spotify. Ndër këngët më të dëgjuara të Ilira Gashit janë këngët “Fading”, “Royalty”, “Diablo”, “Easy”, “Lose you”, “Extra Fr!es”, “Pay my back”, “Do it yourself”, “Ladida”, “Get off my D..”, “Whisper my name”, etj.