Që nga viti 1990, 21 shkurti shënohet si Dita Ndërkombëtare e Guidave Turistike, me qëllim të ndërgjegjësimit të publikut se guidat turistike janë ambasadorët më të mirë kulturorë të vendeve që promovojnë.
Me parullën “Me shumë dashuri nga Kosova”, për herë të parë, kjo ditë do të shënohet edhe në Kosovë, me një aktivitet që do të bëjë bashkë qytetarë nga komunitete të ndryshme që jetojnë në Kosovë, organizuar nga “GUIDEKS – Asociacion i guidave turistike të Kosovës”.
Radio KFOR-i ka kontaktuar Drejtorin Ekzekutiv të “GUIDEKS”, Z. Enes Toska, i cili ka treguar se kanë mbi 50 anëtarë si guida profesionale të kualifikuara, përfshirë edhe përfaqësues të komuniteteve joshumicë, të cilët janë të shpërndarë në shumë lokalitete në Kosovë: “Parulla “Me shumë dashuri nga Kosova” ndërlidhet me misionin e organizatës sonë që nënkupton promovimin e vendit, si destinacion turistik si dhe promovimin e guidave të kualifikuara turistike. Për ne është shumë me rëndësi që Kosova të promovohet në botë edhe pse është vend i vogël, mirëpo ne konsiderojmë që Kosova ka shumë pasuri, qofshin ato të kulturës, por edhe të natyrës që ofrojnë eksperienca të veçanta për vizitorët. Për ne, turizmi na bashkon të gjithëve dhe promovimi i Kosovës dhe pasurisë kulturore e natyrore të saj është synim i të gjithëve, pa marrë parasysh etninë, përkatësinë fetare apo edhe përkatësitë tjera shoqërore që i kemi. Në kuadër të këtij aktiviteti, ne do të ofrojmë një tur ecjeje që do të ofrohet pa pagesë, duke filluar nga ora 12:00 në Prishtinë, Prizren, Novobërdë dhe Graçanicë. Ky tur ecjeje do të ofrohet në gjuhën shqipe, serbe dhe angleze. Për shembull, kolegët tanë në Graçanicë që janë nga komuniteti serb e që janë anëtarë të shoqatës tonë do ta ofrojnë këtë shërbim atje. Në këto ture mund të marrin pjesë të gjithë qytetarët, qoftë lokalë apo ndërkombëtarë, janë të mirëseardhur, nuk ka nevojë as për regjistrim, mjafton të paraqiten në lokacionet e paralajmëruara.”
Asociacioni “GUIDAKS” është themeluar në vitin 2018 dhe është organizatë umbrellë e të gjitha guidave turistike në Kosovë si edhe është anëtare e Federatës Evropiane të Asociacioneve të Guidave Turistike (FEG Tourist Guides).