Reshjet e lehta të borës gjatë vikendit, kanë bërë që të ketë intervenime shtesë në pothuajse të gjitha rrugët e mirëmbajtura nga Ministria e Infrastrukturës në Kosovë, por që kjo nuk ka ndikuar në krijimin e vështirësive në komunikacion. Sipas një raporti për media nga kjo ministri thuhet “Shkaku i mjegullës, temperaturave nën zero (-0) dhe borës, në të gjitha rrugët e rajonit të Prishtinës, Gjakovës, Prizrenit, Ferizajt dhe Pejës është intervenuar me shpërndarje të kripës dhe rërës, me qëllim të parandalimit të ngricave mbi shtresën qarkulluese. Kështu rrugët mbeten të lira për qarkullim në këto pjesë”, thuhet në këtë raport.
Ministria e Infrastrukturës do të vazhdojë, mirëmbajtjen dimërore të të gjitha rrugëve në vend dhe do të kujdeset për vështirësitë eventuale dhe sigurinë në komunikacion.
Kjo ministri gjithashtu bën apel te të gjithë pjesëmarrësit në komunikacion për kujdes të shtuar dhe ruajtje të sigurisë gjatë sezonit dimëror.
Këtij apeli i është bashkuar edhe Policia e Kosovës, të cilët kanë porositur të gjithë pjesëmarrësit në trafik të respektojnë shenjat e komunikacionit dhe të tregojnë kujdes të shtuar gjatë gjithë kohës.