“Të dua sot, të dëshiroj nesër dhe për prezencën tënde do të kem nevojë përgjatë gjithë jetës sime”. Është kjo njëra ndër frazat me të cilën përkufizohet ndjenja më sublime që një çift mund të kenë ndaj njëri tjetrit, e që është – dashuria. Pikërisht sot (14 shkurt), është data, në të cilën festohet për dashurinë apo për Shën Valentinin. Por shtrohet pyetja, a ka ekzistuar me të vërtetë ndonjë njeri me emrin Valentin?! – Njëra nga legjendat thotë se ishte një prift me këtë emër në shekullin III, në kohën kur perandori Klaudius II, një luftënxitës, i kishte ndaluar martesat, me qëllim që të kishte mjaft ushtarë për luftërat e tij. Sipas gojëdhënës, Valentini i kurorëzonte fshehurazi ushtarët me të dashurat e tyre. Me shpikjen e shtypshkronjave u bë e mundshme edhe shtypja e kartolinave me tematikë të Shën Valentinit, ku pati një popullaritet të madh blerja e këtyre kartolinave nga ana e të dashuruarve.
Në disa vende, kjo festë nuk shënon vetëm dashurinë ndërmjet femrës dhe mashkullit, por edhe dashurinë në përgjithësi, prindërore etj. Shën Valentini ka një të kaluar prej 2000 vjetësh që nëpër shekuj është festuar në tradita të ndryshme. Një nga traditat e praktikuara shekuj më parë, ishte për të gjetur një të dashur në ditën e të dashuruarve, për çka organizoheshin shorte.