Po vazhdojnë aktivitetet rreth ‘16 Ditëve të Aktivizmit kundër Dhunës në baza Gjinore’ në Kosovë. ‘Qendra për Art dhe Komunitet-Artpolis’ ka organizuar një sërë aktivitetesh për të rritur ndërgjegjësimin për dhunën gjinore.
Drejtoresha ekzekutive e Qendrës për Art dhe Komunitet ‘Artpolis’, Zana Hoxha Krasniqi, në një prononcim për Radio KFOR-in tregoi për aktivitetet e organizuara nga qendra që ajo drejton:
“Në kuadër të ditëve kundër dhunës gjinore ‘Artpolis’, sikur çdo vit, e shënon këtë kampanjë me një numër të aktiviteteve që angazhojnë artistët dhe komunitetin në krijimin e veprave që bartin mesazhe vetëdijësuese dhe adresojnë dhunën në baza gjinore me fokus dhunën kundër grave. Ne kemi organizuar punëtori, shfaqje, diskutime, prezantimin e filmave etj., dhe të gjitha këto aktivitete janë të hapura për të gjithë”, tregoi Zana.
Aktivitetet në kuadër të aktivizmit kundër dhunës do të vazhdojnë deri më 10 Dhjetor të këtij viti.