Gjuha amtare është një nga pasuritë më të mëdha që një njeri apo një popull mund të ketë. Ajo nuk shërben vetëm për komunikim, por është një pjesë e identitetit, kulturës dhe historisë. Pikërisht për këtë arsye është krijuar ‘Dita Ndërkombëtare e Gjuhës Amtare’, e cila synon të ndërgjegjësojë njerëzit për rëndësinë e ruajtjes dhe respektimit të gjuhëve në mbarë botën.
Kjo ditë u shpall nga UNESCO në vitin 1999, me qëllim që të mbështetet shumëllojshmëria gjuhësore e kulturore si dhe të inkurajohet përdorimi i gjuhës amtare në arsim dhe në jetën e përditshme.
Në shumë vende të botës, gjuhët e vogla po zhduken gradualisht, për shkak të globalizimit dhe përdorimit të gjuhëve më të mëdha.
Ne mund ta mbrojmë gjuhën amtare duke e folur dhe shkruar saktë, duke lexuar më shumë në gjuhën tonë dhe duke e përdorur atë me krenari në çdo situatë. Gjithashtu, respekti për gjuhët e tjera është një shenjë kulture dhe tolerance, sepse çdo gjuhë përfaqëson një botë të veçantë mendimesh, traditash dhe mënyrash jetese.
Prandaj, sot me 21 shkurt, në ‘Ditën e Gjuhës Amtare’ kujtojmë se gjuha nuk është vetëm fjalë, por është rrënja jonë. Ta duash dhe ta ruash gjuhën amtare do të thotë të ruash identitetin dhe të ardhmen tënde.







