“Storytelling Night”, kështu quhen netët e rrëfimeve të tregimeve të bashkëpunimit në mes të komunitetit shqiptar dhe atij serb. Në fakt, kjo nismë vjen nga Organizata Joqeveritare “Community Building Mitrovica” (CBM) , e cila tash e mbi 20 vite, ka shtrirë dhe ka zbatuar misionin e saj, atë të lehtësimit të kontaktit në mes të komunitetit shqiptar dhe atij serb. Për të kuptuar më shumë për ngjarjen “Storytelling Night”, e cila këtë herë shënon edicionin e 6-të dhe do të mbahet në Gjilan, Radio KFOR-i ka kontaktuar Program Officer – Zyrtaren e Programeve në CBM, znj. Nerimane Ferizi, e cila tha: “Rrëfimet ‘Storytelling Nights’, janë histori dhe tregime, ku gjatë një mbrëmjeje ne mblidhemi së bashku dhe i dëgjojmë historitë e dy personave që vijnë nga komuniteti serb e shqiptarë, të cilët kanë bashkëpunuar në aktivitete apo në fusha të ndryshme. Shembull, një nga rastet që po më kujtohet tani, është kur kemi pasur aktivistë që kujdesen për qentë, një serb dhe një shqiptar, të cilët kanë rrëfyer tregimin e tyre. Ata na kanë treguar se si bashkëpunojnë për ti ushqyer qentë dhe se si ata kujdesen për këto kafshë. Pastaj, kemi pasur aktivistë të shoqërisë civile, se si bashkëpunojnë serbët dhe shqiptarët brenda një organizate, njerëz të institucioneve edukative etj. Qëllimi ynë është që të përçojmë histori pozitive tek të gjithë njerëzit, për sa i përket relacioneve ndëretnike.”
Sipas znj Nerimane, një edicion i ri i “Storytelling Night”, kësaj radhe do të na vije nga Gjilani: “Më 13 korrik, duke filluar nga ora 16:00, do të kemi ‘Storytelling Nights’ në Gjilan, ku shënojmë edhe edicionin e gjashtë, të tregimit të historive të suksesit, të bashkëpunimit ndëretnik. Në Gjilan, do të dëgjojmë dy të rinj, një nga komuniteti shqiptar e tjetri nga ai serb, të cilët do të tregojnë se si janë takuar në trajnim dhe më pas se si e kanë vazhduar bashkëpunimin, si kanë vazhduar që të jenë në komunikim edhe pas trajnimit, me u shoqërua etj. Natyrisht, një histori e bukur e sidomos që vije nga të rinjtë, nga dy komunitetet”, tha më tej znj. Ferizi, e cila po ashtu përçoi edhe një mesazh, përmes frekuencave të Radio KFOR-it: “Është mirë që t’i japim shans njëri-tjetrit, me e pa njëri-tjetrin si individ, si personalitet, mos të paragjykojmë tjetrin, e përmes shoqërive të reja, të mësojmë më shumë për kulturën e njëri-tjetrit dhe të kuptojmë se si njerëzit tjerë e shohin jetën, çfarë bëjnë ata, etj. Është pikërisht diversiteti, atë që e kemi si vlerë dhe kur kemi një mori kulturash, jeta është shumë më bukur dhe përplot me ngjyra.”