‘Familja është vendi ku jeta fillon dhe dashuria nuk mbaron kurrë’. Sot me 15 maj në gjithë botën shënohet ‘Dita Ndërkombëtare e Familjes’, një moment i veçantë për të reflektuar mbi rolin e pazëvendësueshëm që familja ka në jetën e secilit prej nesh dhe në shoqëri në tërësi. Kjo ditë nuk është vetëm një datë simbolike, por një thirrje për të vlerësuar lidhjet njerëzore, dashurinë, mbështetjen dhe sigurinë që buron nga familja.
Familja është vendi ku fillon gjithçka, aty ku mësojmë vlerat e para, ku formohet karakteri ynë dhe ku ndërtohen themelet e jetës. Ajo është streha ku gjejmë ngrohtësi në ditë të vështira dhe gëzim në momentet më të bukura.
Kjo ditë shërben gjithashtu për të ndërgjegjësuar institucionet dhe shoqërinë mbi nevojën për të mbështetur familjet përmes politikave sociale, edukimit dhe kujdesit të duhur. Një familje e shëndetshme është baza e një shoqërie të fortë.
‘Dita Ndërkombëtare e Familjes’ është një kujtesë e thjeshtë, por e fuqishme: të vlerësojmë më shumë kohën me të dashurit tanë, të tregojmë dashuri e mirëkuptim dhe të mos harrojmë kurrë se familja është thesari më i çmuar që kemi.







