Të investosh në të ardhmen, do të thotë të investosh te fëmijët tanë, kjo është arsyeja pse Kombet e Bashkuara kanë caktuar çdo 20 nëntor si ‘Ditën Universale të Fëmijëve’, me qëllim të promovimit të mirëkuptimit reciprok dhe ndërveprimit ndërmjet fëmijëve dhe mirëqenies së tyre.
Në ‘Ditën Universale të Fëmijëve’, Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve në Kosovë – KOMF, u ka bërë një kërkesë zyrtarëve përgjegjës në qeverinë e Kosovës, për ndërmarrjen e masave të menjëhershme për parandalimin e mbylljes së shërbimeve për fëmijët në nevojë si dhe zgjidhjen afatgjatë të financimit të shërbimeve sociale.
“KOMF kërkon Ndërmarrjen e masave të menjëhershme për parandalimin e mbylljes së përkohshme të shërbimeve të strehimoreve për fëmijët pa përkujdes prindëror, viktima të dhunës dhe abuzimit, viktima të trafikimit (niveli i ulët i rrezikut) në Janar 2021, përmes shpalljes sa më parë të thirrjes nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale për mbështetjen e shërbimeve sociale direkte të ofruara nga strehimoret e licencuara. Ndërmarrjen e masave të menjëhershme për të rregulluar mekanizmin e financimit të qëndrueshëm edhe për të gjithë shërbimet sociale për fëmijët e cenueshëm, si fëmijët me aftësi të kufizuara, fëmijët në strehim familjar apo fëmijët e përfshirë në punë të rënda, duke nxjerrë thirrje të rregullta të cilat nuk do të lënë zbrazëti apo boshllëqe kohore të pambuluara financiarisht, gjë e cila ndodh çdo vit dhe rezulton me ndërprerje të shërbimeve sociale” ka treguar mes tjerash, në një prononcim dhënë Radio KFOR-it, zyrtarja për komunikim në KOMF, Loreta Keqekolla.
Dita Universale e Fëmijëve e Kombeve të Bashkuara (KB), e cila u themelua në 1954, shënohet për të promovuar bashkimin dhe ndërgjegjësimin ndërkombëtar midis fëmijëve në të gjithë botën.