SOS Fshatrat e Fëmijëve – Kosovë, në shënimin e Ditës Ndërkombëtare të Fëmijëve, kanë organizuar konferencë për prezantimin e rezultateve të “Analizës së Nevojave mbi kapacitetet e Qendrave për Punë Sociale në fushën e promovimit dhe mbrojtjes së fëmijëve”, në kuadër të projektit “Avancimi i kapaciteteve për të drejtat e fëmijëve”.
Në këtë konferencë u tha se sfida kryesore e Qendrave për Punë Sociale në Kosovë janë kapacitetet e pakta për strehimin e fëmijëve. Zotëri Burim Behluli, nga SOS Fshatrat e Fëmijëve të Kosovës, gjatë kësaj konference tha: “Kjo analizë do të shërbejë si bazë për avancimin e shkathtësive të të gjithë punëtorëve që punojnë në Qendrat për Punë Sociale në fushën e mbrojtjes së fëmijëve dhe sidomos tash pas hyrjes në fuqi të ligjit për mbrojtjen e fëmijëve.”
Pjesë e kësaj konference ishte edhe udhëheqësi i Departamentit për politika sociale dhe familjare nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, z. Mentor Morina, i cili tha se janë duke punuar në përgatitjen e kornizën ligjore sekondare për të drejtat, mbrojtjen dhe shërbimet për fëmijë.
Disa nga rekomandimet që dolën nga konferenca e sotme ishin: rritja e numrin të zyrtarëve për shërbime sociale, përmirësim i infrastrukturës së zyreve që ofrojnë këto shërbime si dhe rritja e kapaciteteve të strehimoreve dhe qendrave ditore të kujdesit për kategori të ndryshme të fëmijëve në nevojë. Ky raport është financuar nga Bashkimi Evropian, i menaxhuar nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe është implementuar nga SOS Fshatrat e Fëmijëve të Kosovës në partneritet me Handikos.