Një nga mënyrat më të shpejta dhe më të sigurta për të udhëtuar në destinacione të ndryshme është fluturimi me avion. Andaj, me qëllim të ndërgjegjësimit të rëndësisë së aviacionit civil ndërkombëtar dhe zhvillimit të standardeve ndërkombëtare për sigurinë e tij, Kombet e Bashkuara çdo vit, më 7 dhjetor, shënojnë ‘Ditën Ndërkombëtare të Aviacionit Civil’.
Në këtë ditë, Radio KFOR-i ka realizuar një intervistë me drejtorin e Agjencisë së Shërbimeve të Navigacionit Ajror në Kosovë, Z. Bahri Nuredini, i cili tha: “Pandemia ka prekur këtë vit edhe agjencinë tonë, kështu që nuk kemi paraparë mbajtjen e ndonjë eventi të veçantë për këtë ditë. Pandemia ka shkaktuar shqetësime edhe për ne, mirëpo agjencia, bazuar në të gjitha vendimet e Qeverisë, është munduar që të mbajë trafikun në qarkullim. Prej 13 marsit, Agjencia e Shërbimit të Navigimit Ajror ka ofruar shërbime civile dhe ushtarake. Megjithatë, kjo periudhë ka qenë e sfidave. Po e përmend implementimin e projekteve kapitale, të cilat janë shumë të rëndësishme për të menaxhuar trafikun dhe të cilat janë shtyrë për vitin 2021 si dhe një element shumë i rëndësishëm në ngritjen e kapaciteteve njerëzore kanë qenë trajnimet, ku një numër i madh i të cilave mbahen jashtë vendit. Kemi pasur një mori trajnimesh të planifikuara dhe organizuara.”
Në fund, Z. Nuredini, u ka uruar ‘Ditën Ndërkombëtare të Aviacionit Civil’ të gjithë profesionistëve të aviacionit civil, duke shpresuar se viti 2021, do të jetë një vit më i mbarë për të gjithë.