Është vetëm 11 vjeçar, por pasioni që ka për muzikën është më i madh se gjithçka tjetër, andaj edhe ëndërron që një ditë të bëhet tenor me famë botërore. Bëhet fjalë për Ardit Hasanin, i cili merret me muzikë që nga mosha 6 vjeçare dhe aktualisht është solist dhe pjesë e korit të Shkollës ‘Qamil Batalli’, ku edhe vijon mësimet. Ai po ashtu vijon mësimet edhe në Shkollën e Muzikës, ‘Prenk Jakova’ si dhe është solist i ‘Qendrës Kulturore të Fëmijëve’, të Prishtinës.
Në një intervistë për Radio KFOR-in, Arditi ka treguar se çdo herë kishte interesim për muzikë, teksa ka falënderuar të gjithë ata që i ofruan përkrahje që nga fillimi si dhe ka përmendur pjesëmarrjen në festivale të ndryshme dhe çmimet që ka fituar: “Para dy viteve në Gara Nacionale në solo këndim, në kuadër të shkollës “Qamil Batalli”, zura vendin e parë në tërë Kosovën. Po ashtu në festivalin “Cicërimat Buzë Ibrit”, në Mitrovicë zura vendin e tretë. Kam marr pjesë edhe në audicionin e Festivalit “Cerise”, nën udhëheqjen e mjeshtërit, Alfred Kaqinari dhe Florent Boshnjaku, ku u zgjodha ndër 20 më të mirët. Në festivalin internacional “Rising Stars”, fitova vendin e dytë dhe mora ftesë për Itali. Po ashtu në Itali në Festivalin, “MIF Association”, në folk zura vendin e tretë. Në festivalin internacional “A~Mol”, rrëmbeva çmimin e parë dhe mora 3 ftesa për në Greqi, Bullgari dhe Itali. Tani jam duke i pritur dhe dy rezultate të festivaleve në Malta dhe Poloni. Po ashtu kam konkurruar në Festivalin, X Talent, i cili do të mbahet live në Londër, në vitin 2021.”
Tutje, Arditi, ka treguar se cila është ëndrra e tij dhe ai kishte një mesazh për bashkëmoshatarët: “Kam shumë ëndrra, por një ëndërr që do mundohem të realizoj është që kur të rritem, të studioj zërin jashtë Kosovës dhe të bëhem tenor me famë botërore. Mesazhi im për bashkëmoshatarët e mi, është që t’i besojnë vetvetes për çdo iniciativë që e marrin dhe mos të kursejnë as një sekondë vetën dhe të mundohen që ëndrrat e tyre t’i bëjnë realitet. Nëse rrini kot asgjë nuk realizohet, por të mundoheni sa më shumë që t’ju buzëqesh një e ardhme e ndritur.”