Duke njohur rëndësinë dhe të drejtën e qasjes në informacione publike, Asambleja e 74-të e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, shpalli 28 Shtatorin si ‘Ditën Ndërkombëtare për Qasjen Universale në Informacione’. Qasja universale në informacion do të thotë që të gjithë kanë të drejtë të kërkojnë, marrin dhe japin informacione. Kjo e drejtë është pjesë integrale e së drejtës për lirinë e shprehjes së njeriut. Edhe në nenin e 4-të të ‘Ligjit për qasjen në dokumente publike’, në Kosovë garantohet e drejta për qasje në dokumente publike për të gjithë qytetarët e Kosovës, i cili thotë: “Çdo kërkues i dokumentit, ka të drejtë në qasje të dokumenteve të institucioneve publike, duke iu përmbajtur parimeve, kushteve dhe kufizimeve të përcaktuara me ligj. Dokumentet janë të hapura për publikun në bazë të kërkesës së drejtpërdrejt, në bazë të kërkesës së bërë me shkrim ose në formë elektronike, me përjashtim të informacioneve të kufizuara me ligj”.
Policia e Kosovës që nga themelimi i saj rëndësi të madhe i ka kushtuar edhe procesit të shkëmbimit të informacioneve si dhe ofrimin e qasjes për publikun në informacionet relevante përfshirë këtu edhe bashkëpunimin me media si partner serioz në arritjen e objektivave të përbashkëta për informimin e drejtë dhe korrekt të qytetarëve tanë.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës Daut Hoxha, në një bisedë për Radio KFOR-in shpjegoi seriozitetin dhe korrektësinë e tyre në ndarjen e informacioneve me qytetarët si punë e tyre e përditshme, duke siguruar se të gjithë qytetarët pa dallim janë të lirë të kërkojnë qasje në informacione dhe dokumente publike: “Në vitet e kaluar organizata të ndryshme ndërkombëtare në raportet e tyre kanë konstatuar se Policia e Kosovës ka mbajtur primatin si ndër institucionet më të pavarura dhe të besueshme duke iu referuar edhe transparencës në dhënien e raporteve ditore, të arritura sipas kërkesave.Policia e Kosovës edhe sot përmes raportit 24 orësh, vazhdon të ofroj informacione në baza ditore e që janë relevante për publikun dhe mediat. Ndërsa lidhur me ngjarje specifike ofrohen informata të zgjeruara përmes komunikatave zyrtare, ku qytetarët njoftohen për aktivitetet e ndryshme apo operacionet policore në ruajtjen e rendit, garantimin e sigurisë së përgjithshme dhe zbatimin e ligjit. Qytetarëve dhe akterëve tjerë relevantë pa dallim, u ofrohet qasje në informacione apo dokumente publike sipas kërkesave të tyre legjitime, gjithnjë duke u bazuar në ligjet e aplikueshme në vend që rregullojnë procedurat për qasje në informacione apo dokumente në përgjithësi.”