Ata që pësuan jashtëzakonisht shumë nga situata e krijuar për shkak të përhapjes së virusit Covid-19, ishin edhe bizneset e gastronomisë, të cilat fillimisht u mbyllën në tërësi, për tu lejuar më pas të zhvillojnë veprimtarinë e tyre lirshëm, me kufizim të serishëm disa javë më vonë, meqë u konsideruan si vatër e përhapjes së virusit korona.
Në lidhje me këtë temë, Radio KFOR-i mori një prononcim nga pronari i lokalit “Guest” në Prishtinë, Shpat Vokshi: “Meqenëse nuk arritëm të marrim ndonjë ndihmë reale financiare nga institucionet vendore, kjo nuk e bëri të lehtë as rihapjen e tyre të plotë fillimisht në qershor dhe më pas rikthimin e restrikcioneve të tjera, të cilat na sollën në një pikë tejet të vështirë apo në prag të falimentimit. Pasi që shëndeti publik është primar, mendoj që edhe bizneseve duhet të ju mundësohen lehtësime për të zhvilluar veprimtarinë e tyre.”
Institucionet që mbrojnë interesat e bizneseve në Kosovë, kanë bërë të ditur se që nga fillimi i pandemisë e deri më tani, humbjet e bizneseve në vend kanë prekur shifrat një miliard euro.