Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara ka shpallur 27 Qershorin ‘Ditën e Mikro Ndërmarrjeve, Ndërmarrjeve të Vogla dhe të Mesme’, për të rritur ndërgjegjësimin e publikut për kontributin e tyre në zhvillimin e qëndrueshëm të ekonomisë globale. Sipas të dhënave të siguruara nga Këshilli Ndërkombëtar për Biznes të Vogël (ICSB), Ndërmarrjet Mikro, të vogla dhe të mesme përbëjnë rreth 70% të totalit të punësimit dhe rreth 50% të GDP-së në botë.
Këtë vit, po trajtohet ndikimi i ‘COVID-19’ në këto ndërmarrje, kurse Radio KFOR-i për të shënuar këtë ditë, ka kontaktuar me sipërmarrës vendor, për të kuptuar gjendjen reale të këtyre bizneseve, e njëri ndër ta është edhe pronar i marketit “Fisniku”, Bashkim Gashi, i cili tregoi se si ka ndikuar ‘COVID-19’, në biznesin që e udhëheq ai: “Ne funksionojmë si biznes prej 30 vitesh dhe gjatë kësaj kohe kemi hasur në vështirësi të cilat me sukses i kemi kaluar. Pandemia ‘COVID-19,’ ka qenë e dëmshme, mirëpo po tentojmë që përmes rezervave që kemi krijuar ndër vite ta mbajmë punën tonë në stabilitet.”
Ndërsa, pronari i “Originals Shoes”, Festim Ferati, në lidhje me situatën që ka krijuar pandemia në biznesin e tij, shtoi: “Kjo pandemi na ka dëmtuar sidomos në fillim me masat e para, ku shumica e vendit ishte në karantinë. Gjatë asaj kohe kemi punuar vetëm me porosi tek dera e shtëpisë, në mënyrë që mos ta ndalim punën totalisht. Jam optimist për të ardhmen, sepse bizneset e vogla edhe në ngjarje të tilla si kjo pandemi, kanë gjasë të mbijetojnë më lehtë sepse kërkojnë investim më të vogël.”