‘Dita Botërore e Kryqit të Kuq’ festohet çdo vit, me datën 8 Maj. Në po këtë datë, është edhe përvjetori i lindjes së themeluesit të Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq (ICRC) dhe njëherazi, fitues i Çmimit Nobel për Paqe, Henry Dunant, i cili lindi në 8 maj, të vitit 1828. Edhe ‘Kryqi i Kuq i Kosovës’ (KKK) operon për një kohë të gjatë në vendin tonë dhe mirren sikurse në vendet tjera me aktivitete të shumta bamirësie, për të cilat më shumë për Radio KFOR-in na tregon Zyrtari për komunikim në ‘Kryqin e Kuq të Kosovës’, Armend Shala: “Organizata ‘Kryqi i Kuq i Kosovës’, u themelua qysh në vitin 1945, me seli në Prizren, e cila pas dy viteve, në vitin 1947, u bart në Prishtinë. Kjo organizatë ka shtrirje territoriale pothuajse në gjithë territorin e Kosovës, me 26 degë në nivel vendi dhe me rreth katër mijë vullnetar, shumica prej tyre të trajnuar në fusha të ndryshme të programeve të Kryqit të Kuq. Pas paraqitjes së pandemisë ‘COVID-19’, në Kosovë ‘Kryqi i Kuq i Kosovës’, paraprakisht i ka marr të gjitha masat mbrojtëse për stafin dhe vullnetarët të cilët janë direkt të ekspozuar ndaj rrezikut me ‘COVID-19’, duke përdorur maska, doreza, syze, rroba dhe të gjitha masat mbrojtëse të nevojshme. Ne gjithashtu kemi pezulluar të gjitha aktivitetet e planifikuara dhe kemi mobilizuar të gjitha kapacitetet njerëzore dhe logjistike për të ju ofruar ndihmë familjeve në nevojë”, tha ndër të tjera Z. Shala:
Zyrtari për komunikim në ‘Kryqin e Kuq të Kosovës’, Z. Shala, njoftoi gjithashtu se për aktivitetet e shpërndarjes së pakove ushqimore dhe higjienike, ata kanë mobilizuar 250 vullnetar, në tërë territorin e Kosovës.
Sipas Z. Shala, vetëm nga data 13 mars, e deri me datën 05 maj 2020, në Kosovë janë shpërndarë 12.243 pako ushqimore dhe 12.482 pako higjienike, lodra dhe vizatime për fëmijë dhe sipas tij, tani shpërndarja e pakove po vazhdon shtëpi për shtëpi.