“Gjumë i rregullt, e ardhme e shëndetshme”, ky është slogani me të cilin shënohet sivjet 19 Marsi, “Dita Botërore e Gjumit”. Duke njohur rëndësinë që ka gjumi i mirë, për një jetë të shëndetshme, kjo ditë është një thirrje për të gjithë profesionistët e gjumit, që të mbrojnë dhe edukojnë njerëzit, për rëndësinë që ka gjumi në shëndetin tonë.
Sipas statistikave globale, çdo individ shpenzon deri në një të tretën e jetës së tij duke fjetur dhe pikërisht për këtë, nuk duhet anashkaluar pasojat që sjell mungesa e gjumit e që janë: obeziteti, diabeti, imuniteti i dobët e deri tek disa forma të kancerit.
Për të pasur një gjumë sa më të mirë rekomandohet që:
▪ Të përcaktoni një orar fiks për gjumin dhe zgjimin,
▪ Të mos e teproni me pushimet gjatë ditës,
▪ Të mos konsumoni alkool apo duhan katër orë para se të flini,
▪ Të evitoni ngrënien e ushqimeve të rënda në darkë, shumë të kripura apo sheqerosura,
▪ Të mos pini kafe, 6 orë para se të flini,
▪ Të ajrosni mirë dhomën e gjumit,
▪ Të siguroheni që jastëku të jetë adekuat për një gjumë të mirë e të shëndetshëm, etj.