Pas tetë ditësh, me një agjendë të pasur artistike, sot (18.07.19) përmbyllet “Festivali i Artit në Hapësirë Publike”. Zyrtarja për komunikim nga “Hapu”, Daniela Markaj, në një intervistë për Radio KFOR-in, ka treguar se edhe dita e sotme do të jetë me shumë aktivitete:
“Sot në mbrëmje, me fillim nga ora 17:30 e kemi një debat me artistë me Elisabeth Simonet në në Fondacionin “Shtatëmbëdhjetë”. Elizabethe është përfaqësuese e rrjetit “IN SITU” i cili ka 16 partnerë evropian, e ndër ta është edhe “Teatri ODA”. Në orën 19:00 e kemi performancën “Snowball” që është një performancë shumë atraktive dhe interaktive me publikun. Ndërsa, nga ora 22:00 në “Teatrin ODA”, e kemi një mbrëmje muzikore me Rudina Xhaferin dhe Blerta Zeqirin që me festu së bashku përmbylljen e festivalit.”
Markaj ka thënë gjithashtu, që janë të kënaqur me edicionin e 5-të, të festivalit “HAPU”:
“Në përgjithësi jemi të kënaqur me programin që e kemi realizuar dhe me atë që kanë pasë mundësi me pa publiku, por gjithashtu kemi edhe vlerësim të mirë prej njerëzve që kanë ardhë me i përcjellë performancat dhe të cilat e kanë aktivizu qytetin dhe i kanë dhënë një energji të mirë dhe njerëzit kanë pasë mundësi diçka të bukur me pa” .
Festivali “HAPU” ka filluar më datë 11 korrik dhe përfundon sonte, më 18 korrik.