Për 20 ditë me radhë, Prishtina ka qenë nikoqire e “ChopinPianoFEST Prishtina 2020”. Por, ndryshe nga vitet e shkuara, këtë vit, artistët nuk kanë qenë fizikisht, mirëpo festivali është përkujdesur që të sjell performanca në mënyrë virtuale. Kjo ka ndodhur për shkak të situatës së krijuar nga pandemia e COVID-19. Në edicionin e 11-të me radhë, në kudër të programit ishin paraparë performanca nga muzikantë nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Franca, Austria, Gjermania, Rumania, Italia, Holanda, Turqia dhe SH.B.A.
Në pamundësi që këto performanca të zhvillohen Live, festivali është shtyer për një datë tjetër, mirëpo nga 8 prilli e deri më sot, 29 prill “ChopinPianoFEST Prishtina 2020” është përkujdesur që çdo natë të sjellë kënaqësinë e koncertimit live, duke paraqitur artistët pjesëmarrës me paraqitjet e tyre muzikore online, youtube livestream e mënyra të tjera. “Chopin Piano FEST Prishtina” u themelua për herë të parë me rastin e përvjetorit të 200 të Chopin, më 2010, nga Asociacioni Chopin i Kosovës si anëtari më i ri i Federatës Ndërkombëtare të Asociacioneve Chopin, pjesë edhe e UNESCO-s.