Të dëgjuarit aktiv është një nga komponentët më të rëndësishëm të komunikimit. Kjo pasi të dëgjuarit aktiv ju ndihmon që të kuptoni, vlerësoni dhe të mbani në mend informacionin e marrë nga bashkëbiseduesi. Përveç kësaj, të dëgjuarit aktiv e shtyn bashkëbiseduesin që të përgjigjet, të drejtojë bisedën në drejtimin e duhur si dhe të arrihet interpretimi i saktë i informacionit të dhënë. Aftësia për të dëgjuar në mënyrë aktive është më e dobishme se aftësia për të folur dhe bindur. Andaj, Radio KFOR-i sjell tek ju disa metoda efektive se si ju mund të bëheni dëgjues aktiv:
– Dëgjoni me vëmendje bashkëbiseduesin, mos u përpiqni të formuloni përgjigje në kokën tuaj para se të përfundojë fjalimi.
– Pranoni ndjenjat dhe qëndrimet e të tjerëve, edhe nëse nuk pajtoheni me to. Përpiquni të argumentoni me fakte për të kundërten.
– Gjatë bisedës tregoni edhe angazhim joverbal, me gjestikulacione, siç mund të jetë tundja e kokës, mbajtja e kontaktit me sy, etj.
– Tregoni bashkëbiseduesit, nëse nuk keni arritur ta dëgjoni saktë. Kërkoni të përsëriten ato fjalë, në mënyrë që të dini për çka të përgjigjeni pastaj.
– Bëni nënpyetje, nëse keni paqartësi. Por, më e rëndësishmja, sigurohuni që e keni kuptuar në mënyrë të drejtë bashkëbiseduesin.
Gjithmonë kujtoni se të dëgjuarit aktiv është një mjet i fuqishëm i komunikimit, andaj shfrytëzoni atë.