Sot, më 7 shtator, ka nisur edicioni i 19-të i ‘Festivalit Ndërkombëtar të Prishtinës – ReMusica’, i cili vjen në një format të ri, i përshtatur rrethanave të krijuara nga pandemia ‘Covid-19’.
Drejtoresha e “Festivalit – ReMusica”, Donika Rudi, thotë për Radio KFOR-in se programi i sivjetmë ruan cilësinë, vëllimin dhe fizionominë e ndërtuar me vite, duke e dërguar publikun kosovar në rrugëtim drejt sallave evropiane, duke përfshirë natyrisht edhe Kosovën: “Edicionin e sivjetmë e konsiderojmë të veçantë në shumë aspekte. Pa mëdyshje të gjithë neve na duhet një forcë e shtuar, një ri ngritje që do të na përkujton se koncepti i ringjalljes shfaqet si forcë lëvizëse në arritjen e një bote më të mirë dhe më të lumtur. Pandemia zbuloi problemet fondamentale të mënyrës sonë të jetesës dhe kjo ringjallje duhet të shërbej në adresimin e këtyre problemeve. Në thelbin e situatës së sotme qëndrojnë fjalët Shpresa dhe Ringjallja – RISE!”.
Edicioni i sivjetmë ‘ReMusica’, do të hapet nga ansambli Ebonit Saxophone Quartet, drejtpërdrejtë nga prestigjiozja Concertgebouw në Amsterdam. Nga Salla e Kuqe e Prishtinës, Festivalin do ta prezantoj me një koncert sopranoja e afirmuar, Besa Llugiqi, e cila do të shoqërohet nga pianisti, Misbah Kaçamaku. Edicioni i sivjetmë ‘ReMusica’, do të zgjasë deri më datën 21 shtator dhe do të prezantojë koncerte të shumta nga artistë të njohur.