Për herë të parë, më 7 shtator të këtij viti, (2020) do të shënohet ‘’Dita Ndërkombëtare e Ajrit të Pastër për Qiej të Kaltër’’. Kjo ditë synon rritjen e ndërgjegjësimit tek të gjithë popujt, se sa është i rëndësishëm për shëndetin, produktivitetin, ekonominë dhe mjedisin, ajri i pastër. Një nga organizatat që në vazhdimësi ka aktivitete që promovojnë ruajtjen dhe mbrojtjen e ambientit në Kosovë, është edhe “Let’s Do It Kosova’’. Duke marr parasysh që vendi ynë, në vazhdimësi ka problem me ndotjen e ajrit, në shënimin e ‘’Ditës Ndërkombëtare të Ajrit të Pastër për Qiej të Kaltër’, Besnik Shabiu nga ‘’Let’s Do It Kosova’’, në një intervistë për Radio KFOR-in ka treguar shkaktarët kryesor të ndotjes së ajrit: ‘’Padyshim që një prej komponentëve kryesore të mjedisit, që lidhet detyrimisht edhe me shëndetin dhe mirëqenien, është komponenti i ajrit, që është një prej faktorëve të rëndësishëm prej të cilit qeniet e marrin një prej gazrave më të rëndësishëm siç është oksigjeni dhe pa asnjë diskutim ruajta e këtij komponenti është qenësore edhe për jetesën. Viteve në fundit një prej problemeve goxha serioze të mjedisit në vendin tonë është cilësia e ajrit, e kemi parë kryeqytetin tonë në mesin e qyteteve me ajrin më të ndotur në botë, duke e kaluar shpesh edhe Pekinin. Krahas ngritjes së vetëdijes shoqërore për ruajtjen dhe mbrojtjen e ambientit duhet edhe investim më i madh nga qeveria në këtë drejtim.’’
Ndryshe, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara e miratoi rezolutën për të mbajtur një ‘’Dita Ndërkombëtare të Ajrit të Pastër për Qiej të Kaltër’’ më 19 dhjetor të vitit 2019, gjatë sesionit të saj të 74-të.