Artpolis – Qendra për Art dhe Komunitet dhe Teatri Dodona do të sjellin për publikun shfaqjen “Gratë e Trojës”, sot duke filluar nga ora 19:30, në Teatrin Dodona.
Me dramaturgji dhe regji të Zana Hoxhës dhe Maja Mitic dhe me tekst bashkëkohor nga Shpëtim Selmani, shfaqja “Gratë e Trojës” sjell përmes qasjes feministe ndjeshmërinë dhe qëndresën e grave përballë terrorit të luftës nga Greqia antike e deri në ditët e sotme.
Kjo shfaqje inskenohet në gjuhën shqipe dhe serbe nga kasti i aktorëve: Maja Mitic, Shpëtim Selmani, Semira Latifi, Branka Stojković, Qëndresa Kajtazi, Labinot Raci dhe Aleksandar Stoimenovski dhe shoqërohet me titra në gjuhën angleze.